Kur fëmija juaj është sëmurë, ju dëshironi që të bëni çdo gjë të mundshme që ai të ndihet mirë. Shumë prindër në këto raste kontaktojnë me pediatrit e tyre për t’i pyetur në lidhje me antibiotikët që mund të përdorin. Pavarësisht dëshirës për ta shëruar fëmijën tuaj, është e rëndësishme që ju të ndaloni dhe të pyesni: “A janë antibiotikët zgjedhja e duhur?” Përgjigjia e shkurtër për këtë pyetje është: “Varet nga situata.” Në disa raste antibiotikët janë të nevojshëm, por duhet të bëjmë kujdes kur dhe si i përdorim ato. Antibiotikët mund të shërojnë, por në disa raste mundet që edhe ta përkeqësojnë më shumë gjendjen. Për të kuptuar më mirë rolin e antibiotikëve, është e rëndësishme që dimë disa fakte në lidhje me to.
Fakte rreth antibiotikëve:
Antibiotikët përdoren për të luftuar infeksionet bakteriale dhe jo infeksionet virale.
Kur fëmijët ose të vegjlit tuaj shfaqin shenja të ftohjes ose të gripit, prindërit apo kujdestarët shpesh pyesin nëse antibiotikët janë zgjedhja e duhur. Sidoqoftë antibiotikët janë krijuar për të luftuar bakteret dhe jo viruset. Në shumicën e rasteve, një fëmijë i vogël me simptoma të lehta të rrjedhjes së hundëve, kollë, dhimbje fyti mund të përmirësohet pa qenë nevoja të përdorë ilace. Mos harroni që foshnjat dhe fëmijët e vegjël mund të ftohen 8-10 herë në vit, prandaj duhet të tregoheni shumë të kujdesshëm në lidhje me ilaçet. Mund të ketë situata kur një virus mund të shndërrohet në infeksion bakterial, por marrja e antibiotikëve para se të shfaqet infeksioni bakterial mund të shkaktojë efekte anësore si të vjella, diarre ose mund të krijojë një infeksion të shkaktuar nga bakteret rezistente.
Antibiotikët mund të shkaktojnë efekte anësore ose probleme të tjera.
Drejtoresha e Programit të Mbikëqyrjes Pediatrike Antimikrobiale në Spitalin e Fëmijëve në Qendrën Mjekësore Montefiore në New York, deklaron se rreth 1 në çdo 10 fëmijë përjetojnë efekte anësore nga antibiotikët. Këto efekte anësorë janë kryesisht të vjella, të përziera apo diarre. Antibiotikët janë krijuar për të shkatërruar bakteret e këqija , por fatkeqësisht ato mund të vrasin bakteret e mira në zorrë duke shkaktuar më pas ato efekte anësore që përmendëm më lart tek disa fëmijë. Eshtë e rëndësishme që të dini gjithashtu që 5 në 100 fëmijë janë alergjikë ndaj antibiotikëve. Ju duhet të lajmëroni mjekun apo pediatrin e fëmijës tuaj sa më shpejt të jetë e mundur nëse fëmija juaj ka një reagim ndaj antibiotikëve, si kruarje, skuqje të lëkurës etj.
Së fundmi një çështje kritike është dhe rezistenca ndaj antibiotikëve. Sa më shumë që përdoren antibiotikët, aq më pak efektivë do jenë ato në shkatërrimin e baktereve. Nga të gjitha ilaçet për fëmijë, rreth një e katërta e tyre janë antibiotikë dhe ekspertët thonë që 30% e tyre janë të panevojshme. Rezistenca ndaj antibiotikëve është me të vërtetë mjaft serioze. Kjo do të thotë që të gjithë ne duhet të tregohemi të kujdesshëm me përdorimin e antibiotikëve, pra jo vetëm foshnjat dhe fëmijët e vegjël. Kur ne krijojmë një rezistencë ndaj antibiotikëve, bëhemi më të prekshëm nga sëmundjet infektive. Kjo është një nga arsyet e rëndësishme për tu treguar të kujdesshëm ndaj përdorimit të antibiotikëve.
Ka disa raste kur foshnja ose fëmija juaj ka nevojë për antibiotikë.
Fëmija mund të përballet me sëmundje të cilat kanë nevojë për antibiotikë, si:
- Temperaturë e lartë e zgjatur
- Pneumonia bakteriale
- Kolla e mirë
- Infeksionet e veshit
- Infeksionet në kanalin urinar
- Infeksione të tjera bakteriale
Kur i jepni fëmijës suaj antibiotikë, është e rëndësishme që ta vazhdoni trajtimin për një kohë të caktuar.
Nëse ju po i jepni fëmijës suaj antibiotikë dhe shikoni që simptomat e tij po përmirësohen, a mund ta ndaloni përdorimin e tyre?
Rekomandohet që trajtimi të vazhdohet për aq kohë sa e ka përcaktuar pediatri në mënyrë që antibiotiku të bëjë punën e tij. Ndërprerja e antibiotikut përpara kohës së përcaktuar nga pediatri mund të shkaktojë kthim të infeksionit.
Antibiotikët janë sikur të kesh “superfuqi”: në duhet t’i përdorim ato me përgjegjësi në të kundërt shumë njerëz mund të sëmuren. Mos i harroni këto fakte kur fëmija juaj është i sëmurë dhe gjithmonë konsultohuni me pediatrin tuaj përpara se t’i jepni fëmijës ndonjë ilaç.
Referencat
Ky artikull eshte shqiperuar nga Babysparks.com dhe te gjitha te drejtat intelektuale i perkasin BabySparks