Qumështi me pakicë – Hypogalaktia
Fjalë për fjalë do të thotë prodhim i mangët i qumështit. Një rrethanë e tillë është shumë e rrallë tek njeriu dhe në fakt e gjejmë vetëm në 1% të grave. Shpesh në popull e lidhin me madhësinë e gjinjve, por kjo nuk është e saktë; madhësia e gjinjve nuk ka asnjë rëndësi.
Në shumicën e rasteve, rënia e prodhimit të qumështit është e lidhur me vendime të shpejtuara, të papërshtatshme dhe arbitrare: dhënia e ujit me sheqer, dhënia para kohe e qumështit artificial, përdorimi i hershëm i biberonit, kujdesi i pakët për thithin e gjirit, moskujdesi i duhur dhe trajtimi i parregullt i fryrjes ose të çarave të gjirit etj.
Në rastet kur vërtetë qumështi i nënës është i pamjaftueshëm, atëherë duhet të këshilloheni me mjekun e fëmijës, i cili mund dhe duhet të vendosë nëse është e nevojshme apo jo ushqyerja plotësuese.
KUR QUMËSHTI I NËNËS ËSHTË VËRTET I PAMJAFTUESHËM
Thamë më sipër se janë të rralla rastet, në të cilat rezulton se qumështi i nënës është i pamjaftueshëm (Hypogalaktia). Në raste të tilla rritja e fëmijës nuk është në përputhje me normën. Pikërisht ky është momenti që mjeku i fëmijës (asnjëherë vetë nëna) të vendosë për plotësimin e qumështit të nënës edhe me një qumësht tjetër (qumësht artificial). Kjo lloj ushqyerje quhet ushqyerje e përzier (qumësht nëne + qumësht artificial).
Ushqyerja e përzier mund të realizohet:
• ose duke i dhënë qumështin artificial fëmijës, pasi e kemi vendosur njëherë në gji,
• ose duke e vendosur fëmijën një vakt në gji dhe vaktin tjetër i japim qumështin artificial.
Veprimi në këtë mënyrë është i parapëlqyeshëm për disa arsye.
Para së gjithash shmanget përzierja e të dy llojeve të ndryshme të qumështit (qumështit artificial me qumështin e nënës), të cilët kanë veçori të ndryshme si në shije, ashtu edhe në tretshmëri. “Një motorr edhe me naftë edhe me benzinë, nuk na jep maksimumin e vet!” Nga ana tjetër ka rëndësi edhe më të madhe shmangia e “takimeve” të shpeshta me biberonin, sepse mund ta çorientojnë fëmijën. Kujtojmë gjithashtu se thithja e gjirit bëhet ndryshe nga thithja e biberonit. Përveç kësaj, studimet kanë treguar se përdorimi i hershëm i biberonit (veçanërisht para se fëmija të vihet për herë të pare në gji) është përgjegjës për dështimin e ushqyerjes me gji.
Ushqyerja e përzier mund të jetë:
Plotësuese: Qumështi artificial jepet pasi është vendosur fëmija më parë në gji.
Alternuese: Një vakt gji dhe një vakt qumësht artificial. Midis shkaqeve të ndryshme të ndërprerjes së ushqyerjes me gji dhe këshillimit për të filluar ushqyerjen artificiale, qoftë për arsye të nënës, qoftë për arsye të fëmijës, së pari duhet të bëhet një dallim i qartë midis pengesave të përkohshme dhe të përhershme për ushqyerjen me gji. Në këtë mënyrë shmangen vendimet e padobishme dhe të shpejtuara, që ndodhin jo rrallë.
Mos harroni se ka raste në të cilat vërtet fëmija e ka të pamundur të kapë gjirin, por kjo nuk do të thotë që nuk mund të ushqehet me qumësht nëne; në të tilla raste duhet të shtrydhet gjiri dhe fëmijës t`i jepet qumësht i shtrydhur.
Sëmundje të lehta të nënës, si për shembull një bronkit, një grip i lehtë, diarreja etj. Nuk përbëjnë motiv për të ndërprerë ushqyerjen me gji. Përkundrazi, nëse nuk i jepet qumësht gjiri, fëmijës mund t’i ngjitet më lehtë sëmundja në fjalë të nënës, sepse dihet që me qumështin e gjirit, fëmija merr dhe trupëzat mbrojtës. Edhe tuberkulozi në vetvete nuk përbën pengesë për ushqyerjen me gji, sepse dihet që sëmundja përcillet nëpërmjet frymëmarrjes dhe jo me qumështin e nënës. Ilaçet kundër tuberkulozit kalojnë në sasi të kufizuar në qumësht, prandaj edhe në këtë drejtim nuk përbëjnë një problem. Sidoqoftë, duhet të tregohet kujdes dhe problemi duhet parë nga mjeku në shumë anë.
Referencat
Tushe, E. Arti i Rritjes së Fëmijëve. Publikuar nga: UNICEF & Ministria e Shëndetësisë. ISBN 99943-729-3-9. Tiranë, 2005