Lindja natyrale apo cezariane, kë duhet të zgjedh? Kjo është një ndër dilemat që një grua shtatzanë përballet. Kjo zgjedhje shoqërohet me shumë emocione të ndryshme si frikë, pasiguri ose dhe ankth, e aq më tepër kur ke dhe shumë mendime nga të tjerët.
E vërteta e gjithë kësaj dileme është që nuk ka një mënyrë të duhur! Çdo histori është unike dhe ndryshe nga historia tjetër. Qëllimi kryesor në fund është të keni në krahët tuaj një bebe të shëndetshme. Dhe në këtë artikull do iu paraqesim më nga afër lindjen natyrale dhe cezariane në mënyrë që të jeni sa më të informuara. Dhe pse jo, të jeni sa më të qeta kur të vendosni për mënyrën se si ju do sillni në jetë beben tuaj.
Lindja natyrale është një proces fiziologjik ku bebi vjen në jetë përmes kanalit vaginal, dhe është një proces që ndodh në mënyrë spontane duke filluar nga kontraksionet e deri te momenti i lindjes. Kjo rekomandohet kur shtatzania është normale dhe pa komplikacione.
Nga ana tjetër kemi lindjen cezariane që është një ndërhyrje kirurgjikale gjatë së cilës bebi vjen në jetë përmes një prerjeje në bark. Kjo është një procedurë e planifikuar dhe jetëshpëtuese në raste kompiikacionesh emergjente.
Në lindjen natyrale procesi i rikuperimit është më i shpejtë dhe më i lehtë. Vlen të përmendet edhe që mundësia më e madhe për të pasur kontakt të menjëhershëm me bebin në mënyrë që të mund të filloni ushqyerjen me gji që në orën e parë të lindjes.
Nga ana tjetër në lindjen cezariane është një proces të cilin ju mund ta planifikoni dhe mund të shmangni komplikacionet e mundshme ose dhe dhimbjet e lindjes natyrale. Dhe të mos harrojmë që lindja e tillë mund të jetë zgjidhja më e sigurt për shëndetin tënd dhe të bebit në situata të caktuara mjekësore.
Ajo që ne iu këshillojmë është informimi i saktë dhe i besueshëm. Ju mund të përgatiteni për të dy skenarët e lindjes. Plani ndryshon dhe kjo është mëse në rregull dhe normale. Kërkoni mbështjen nga partneri apo personat e tu të afërt dhe nga stafi mjekësor. Duke qenë të informuara dhe të mbështetura në këtë rrugëtim do ndiheni më të qeta dhe më të sigurta.
Dhe në përfundim mënyra se si bebi juaj do vijë në jetë nuk përcakton vlerën e një nëne. Ti je një nënë e mrekullueshme dhe heroinë e vërtetë pavarësisht nëse lind në mënyrë natyrale ose cezariane. Ajo çfarë ka rëndësi është shëndeti juaj dhe i bebes tuaj, dashuria dhe kujdesi që ti do i ofrosh që në momentet e para të jetës. Pranoje përvojën tënde cilado qoftë ajo dhe jepi vetes të drejtën të ndihesh krenare për trupin tënd dhe për rrugëtimin që ke bërë!




