Në ditët e para pas lindjes gjiri prodhon një lloj qumështi që quhet kulloshtër. Kulloshtra është një lëng i trashë me ngjyrë të verdhë, sepse në përmbajtjen e tij gjendet me shumicë një lëndë që quhet betakaroten. Ky është një antioksidues i fuqishëm dhe që I jepet fëmijës në një fazë tepër të brishtë të jetës së tij. Shpesh kulloshtra është e papëlqyeshme për nënën, ndoshta se ajo e përfytyron qumështin me ngjyrë të bardhë. Por derdhja e kulloshtrës dhe mosdhënia e saj fëmijës, është një nga gabimet e trashëguara të kulturës sonë popullore.
Në sajë të përmbajtjes së vet, kulloshtra është ushqimi ideal I ditëve të para. Me lindjen, fëmijës i duhet të përballet me shumë armiq (viruset, bakteret), ndërkaq
që fuqitë mbrojtëse të tij janë ende të pazhvilluara. Pas lindjes, ai ka të pranishme në gjakun e vetë një sasi trupëzash mbrojtëse, të cilat i ka marrë që para lindjes nga nëna, me anë të placentës. Por ndihmesa e vërtetë i vjen nga qumështi.
Kulloshtra është një qumësht tepër i veçantë që prodhohet vetëm në 5 ditët e para të jetës. Funksionet e saj të mëdha janë dy: të ushqejë në mënyrë të përshtatshme fëmijën dhe ta mbrojë atë si duhet nga mikrobet.
Funksioni mbrojtës
Kulloshtra ka veti të shkëlqyera për të mbrojtur ndaj mikrobeve të ndryshme (viruset dhe bakteret) dhe shumë më të theksuara se qumështi i prodhuar më vonë nga gjiri i nënës. Në sajë të këtyre vetive, ajo shërben si një “çadër” që
e mbron fëmijën nga “breshëri” I egër i mjedisit të jashtëm. Ky veprim mbrojtës i kulloshtrës shumë- fishohet, në qoftë se fëmija është I lindur parakohe. Dhe dihet nga të gjithë se sa rrezikon i linduri parakohe, nga ky ballafaqim me këtë“botë të egër”.
Funksioni ushqyes
Njëkohësisht, kulloshtra në sajë të përmbajtjes së veçantë me shumë proteina dhe kripëra minerale dhe pak sheqerna dhe yndyrna, është tepër e përshtatshme për të porsalindurin. Në këtë mënyrë, rënia në peshë e të porsalindurit në ditët e para të jetës është e butë dhe rimarrja e peshës së lindjes më e shpejtë.
Rreth ditës së 4 – 5-të të jetës ndodh“ardhja” e qumështit. Kulloshtra
zëvendësohet nga një qumësht tjetër, i cili ka një pamje si krem.
Ky është qumështi i përkohshëm. Vetitë e tij janë ndërmjet kulloshtrës dhe qumështit të nënës. Quhet i përkohshëm, sepse rreth ditës së 12-të të jetës, qumështi përsëri ndryshon dhe merr vetitë që i ruan pastaj gjatë gjithë kohës që qumështi prodhohet nga gjiri I nënës.
Pas ditës së 12 -të jetës, qumështi i gjirit merr tashmë karakteristikat përfundimtare dhe është mjaft i pasur në lëndë energjitike, për shkak të përmbajtjes më të lartë në sheqerna dhe yndyrna.
Referenca
Tushe,E Arti I rritjes së fëmijëve Publikuar nga: UNICEF & Ministria e Shëndetësisë. Tiranë 2005